The Weeknd elektrizon skenën e “Super Bowl”

Të dielën u mbajt një prej ngjarjeve më të ndjekura në SHBA, që është finalja e kampionatit të futbollit amerikan “Super Bowl”.

Dhe si gjithmonë, vëmendje të madhe në këtë ngjarje zë performanca e yjeve në skenë, ku ndër vite kanë interpretuar disa prej këngëtarëve më të suksesshëm në industrinë e muzikës.

Këtë vit, nderi për t’i argëtuar fansat e pranishëm në stadium dhe miliona teleshikues që e ndoqën lojën nga shtëpitë e tyre, ishte ylli kanadez The Weeknd.

Brenda performancës 14 minutëshe, këngëtari shumë i talentuar i interpretoi live disa prej hiteve të tij më të njohura, si “Starboy”, “Call Out My Name”, The Hills” dhe të tjerë.

Por momenti më kulminant ishte kur ylli i njohur i muzikës e interpretoi hitin e tij të fundit, “Blinding Lights”, me ç’rast në fushën e futbollit u shoqërua nga qindra valltarë dhe mini-koncerti i tij, u përmbyll me duartrokitje të shumta dhe fishekzjarrë.

Videoja e plotë e performancës së The Weeknd tashmë është publikuar në platformën YouTube, ku brenda 5 orëve të para të publikimit i ka marrë katër milionë klikime.

Megjithëse ishte një performancë e mirë e këngëtarit, dhe gjithçka shkoi në mënyrë të përkryer dhe pa gabime, nuk besohet se do ta arrijë suksesin e performueseve të vitit të kaluar, yjeve të njohura latine, Jennifer Lopez dhe Shakira, të cilat e patën ndezur skenën me këndimet dhe vallëzimet energjike. Deri më sot, performanca e kësaj dyshe në “Super Bowl”, mbetet një prej më të shikuara në YouTube, me afërsisht 200 milionë klikime.

Në të kaluarën këtë skenë e kanë hijeshuar këngëtarë të famshëm të muzikës, si Beyonce, Bruno Mars, Lady Gaga, Katy Perry, Madonna, Prince, Bruce Springsteen, Paul McCratney, Janet Jackson dhe të tjerë.