Letra prekëse e kirurgut kosovar për stafin e Infektives ku qëndroi për 3 javë

Kirurgu i njohur kosovar, Sejdi Statovci ka arritur ta mposht Covid-19 pasi ka qëndruar plot 22 ditë në Klinikën Infektive.

Kirurgu i fëmijëve ka lavduar pa masë stafin mjekësor në Infektive duke thënë se ishte me fat që ka qenë pacient i këtij stafi.

Me një letër publike, Statovci ka thënë se përkujdesi profesional i ka dhënë atij kurajo që ta kalojë këtë sfidë jetësore.

“Sado fjalë të shkruaj në këtë postim, çfarëdo që të them nuk mjafton për të përshkruar respektin dhe falënderimin tim për ju kolegë të Klinikës Infektive, për punën dhe angazhimin tuaj në trajtimin profesional, human dhe dinjitoz të pacientëve me Covid 19.

Unë pata fatin që të jem i pacient i juaji për 22 ditë në Repartin F dhe të ju shoh nga një kënd tjetër, jo vetëm si kolegë por edhe si një pacient. Munda ta shoh, ta ndjej dhe ta përjetoj gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën tuaj të përditshme edhe përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat ballafaqoheni çdo ditë.

Fillimisht nuk desha të përmend emra sepse dikujt me siguri do ti mbetem borxh pasi të gjithë kolegët e Klinikës Infektive jeni interesuar për gjendjen time, më keni vizituar, më keni këshilluar dhe më keni dhënë kurajo. Sidoqoftë, barrën më të madhe në përkujdesjen ndaj meje e kishin stafi i Repartit F, dr. sc. Sadije Namani, dr Gezim Morina, dr Luljeta Hasani, dr Teuta Mustafai. Mjekët e rinj, dr Edona Muçiqi, dr Gramoz Bunjaku, dr Alban Blakaj si dhe infermieret e mrekullueshme të repartit të cilat përveq terapisë dhe obligimeve tjera të punës gjithmonë ishin të durueshme, të buzëqeshura e të kujdesshme dhe rrezatonin energji pozitive që pacientëve ju shtonte optimizmin. Ju lumtë.

Një falënderim veçantë për Prof. Dr. Salih Ahmeti i cili çdo herë ka ardhë dhe ka dhënë kontributin e tij të çmuar edhe pse unë nuk isha në repartin e tij. Një profesor dhe para së gjithash një burrë me virtyte të larta.

Drejtoresha e Klinikës dr Lindita, doktoresha Hatixhe, dr Fikrije (mikrobiologe), dr Njomza, miqtë e mij infektolog, dr Arbeni, dr Izeti, dr Murati, dr Veliu, pulmologu dr Besim Morina, dhe të gjithë ju të tjerët miqtë e mij që nuk ju përmenda, ju falënderoj nga thellësia e zemrës për çdo gjë që keni bërë për mua.

Kolegët e Kirurgjisë së Fëmijëve ishin me mua gjithë kohës, me vizitat e përditshme, interesimin dhe përkrahjen e tyre që për mua ishte shumë e rëndësishme dhe inkurajuese.

Dhe në fund, ata që bartën barrën më të rëndë emocionale, përkujdesjen për çdo gjë dhe më dhanë forcën dhe vullnetin për tia dalë mbanë ishin familja ime.

Të gjithë ju dashamirët e mij që ishit të brengosur për gjendjen time dhe në çfarëdo mënyre jeni interesuar dhe solidarizuar me mua, ju faleminderit dhe Zoti ua shpërbleftë.

Uroj që asnjë nga ju të mos infektoheni me Covid 19, ndërsa ata që infektohen uroj ta kaloni sa më lehtë dhe sa më shpejt.

Me respekt, i juaji dr Sejdiu” shkruan kirurgu Sejdiu në njoftim.