Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është shprehur se portieri Ederson mund të jetë ekzekutues i penalltive tek skuadra e tij.
Portieri i Man Cityt, Ederson, muaj më parë kishte bërë bujë në mediat angleze, pasi kishte deklaruar se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë e gjuajtjeve të penalltive.
Por, tani edhe menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk e ka mohuar këtë gjë. Ai pas fitores së rëndësishme në Anfield, ndaj Liverpoolit, tha se Ederson mund të marrë përgjegjësinë e gjuajtjes së tyre.
E gjitha kjo pasi nisi debati se lojtarët e Cityt ishin duke humbur penallti, Gundogan humbi një në këtë ndeshje.
“Është një problem që kemi, në momente të rëndësishme duhet të shënojmë, nuk ka rëndësi se kush”, tha ai.
“Prap e theksoj, më duhet të mendoj për Ederson, ai mund të ekzekutojë penalltinë e radhës”, tha tekniku spanjoll.
Guardiola u shpreh i kënaqur edhe me paraqitjen e skuadrës së tij ku tha se do të donte që herën e ardhshme të përjetonte këtë ndeshje me tifozët brenda stadiumit.
“Këtu duhet të vuash në mënyrë që të marrësh rezultat pozitiv, Anfieldi është gjithmonë mbresëlënës, por me tifozë brenda është shumë më tepër. Fitore e madhe për ne, tre pikë të tjera në fund, por unë marr parasysh faktin që fituam pasi humbëm një penallti dhe pësuam një gol, por mënyra se si reaguam… kjo ishte fantastike”, përfundoi Pep Guardiola.