Kemal Ademi, Dardanët nuk e merituan një fyerje të tillë!

Futbollisti Kemal Ademi ka irrituar tejmase opinionin futbolldashës në Kosovë me deklaratën e sotme se do të ishte i lumtur të merrte një telefonatë nga trajneri serb Vladimir Petkoviq për ta përfaqësuar Zvicrën.

Në fakt, ka kohë që ky futbollist ka dhënë sinjale dhe zotim për ta përfaqësuar Kosovën, por tani duket qartë se po luan me dy karta, e ku fanellën e Dardanëve e sheh vetëm si opsion rezervë – nëse dështon ftesa nga Kombëtarja e Zvicrës. Në vend që vendi i origjinës të ishte zgjidhja e tij e parë, ky futbollist luan me ndjenjat e tifozëve të Kosovës, madje duke dhënë deklarata që mund të vlerësohen edhe si ofenduese.

Kosova nuk ka nevojë për futbollistë të tillë. Ata që nuk e zgjedhin fanellën dardane me zemër, nuk i duhen Kosovës. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo Kosovë që sot është anëtare e UEFA-s e FIFA-s është krijuar me shumë sakrifica – me dekada të tëra mjerim e vuajtje nga okupatori serb, deri te derdhja e gjakut për liri. Prandaj, me të drejtë shtrohen sot pyetjet e shumë tifozëve shqiptarë: Ku mbeti patriotizmi, ku mbeti besa e dhënë?!

Është vërtetë e pakuptimtë që për interesa të ngushta personale luhet kaq shumë me ndjenjat e miliona shqiptarëve. Do të ishte plotësisht korrekte nga ana e këtij futbollisti sikur në fillim të deklarohej se e sheh veten te Zvicra, e jo që të shkelë mbi zotimin e tij se zemra i rrah për Kosovën.

Është fakt që Kosova është vend i vogël dhe i varfër, por asnjë vend tjetër në botë nuk ja jep ngrohtësinë dhe ndjenjën e krenarisë sikur Kosova dhe populli i saj.

Shumë futbollistë janë të penduar që e vlerësuan më shumë interesin personal se sa rrahjet e zemrës së tyre, prandaj lojarët si Kemal Ademi do të duhej të merrnin mësim dhe të mos nxitoheshin për vendimin më të madh të karrierës së tyre.

Futbollisti i njohur turk Mesut Ozil u pendua shumë që zgjodhi ta përfaqësojë Gjermaninë, edhe pse me të arriti shumë suksese në karrierë. Pra, suksesi dhe paraja nuk krahasohet me krenarinë që ta sjellë dashuria e pastër për atdheun.

”Gabimi më i madh në karrierë ka qenë që nuk luajta për kombëtaren time të Turqisë. Tani e kam kuptuar se suksesi më i madh në jetë është të luash për kombin tënd, e jo të fitosh Botërorin me një kombëtare tjetër e cila të shfrytëzon vetëm atëherë kur i duhesh”, kishte thënë Ozil.

Këtë deklaratë të Ozilit do të duhej ta lexonin këto ditë Kemal Ademi e Andi Zeqiri, por edhe futbollistë tjerë kosovarë, të cilët po e kanë aq të vështirë për të vendosur për vendin që do ta përfaqësojnë.

Gjithsesi, ata duhet ta dinë se Kosova edhe pa ta në ekip do të jetë e suksesshme dhe do t’i bëjë krenarë miliona shqiptarë.