Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje po insiston tek qytetarët që ta votojnë numrin 1 në listën e partisë, ani pse Albin Kurti nuk është certifikuar si kandidat për deputet dhe rrjedhimisht vota nuk numërohet.
Haxhiu që është jurist me profesion, me aën të një postimi në Facebook ka thënë se vota për numrin 1 numërohet, ani pse e njëjta s’ka asnjë vlerë juridike.
Ajo ka thënë se çdo votë për numrin 1 është votë për siç shprehet ajo “kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura”.
Postimi i plotë i saj:
Të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV, numërohen. Vota për numrin 1 në listën tonë nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët tjerë.
Vota për numrin 1 është votë për praninë që nuk mund të bëhet mungesë.
Çdo votë për numrin 1 është votë për Albin Kurtin. Është votë kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura.
Disa pushtetarë, me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ e institucione të tjera, e bënë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë atë që dihet, që Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash. Ata i tremben legjitimimit dhe mbështetjes për Kurtin sepse e dinë që atë legjitimitet ai do ta përdorë për ta luftuar korrupsionin dhe për ta zhvilluar vendin. Por, Kurti mund ta marrë legjitimitetin edhe kështu, duke votuar numrin 1 në listë prandaj pas numrit 127, numrit të Lëvizjes, vazhdoni me numrin 1!