Qeveria e Kosovës është duke e hartuar vendimin ndaj kërkesave të shtruara nga Konferenca e Parlamenteve Studentore, për organizimin e procesit mësimor si dhe për lirimin e studentëve nga pagesat për semestër.
Kështu thanë për Telegrafin zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).
“Qeveria është duke e hartuar vendimin’’, thanë shkurt ata.
Ndërkaq, edhe Universiteti i Prishtinës i ka demantuar lajmet që janë shpërndarë në rrjetet sociale, se kinse ka ndryshuar organizimi i procesit mësimor dhe studentët janë liruar nga pagesat për semestër.
Sipas tyre, deri tani nuk ka asnjë vendim zyrtar.
Ndryshe, në lajmet që kanë qarkulluar ditën e mërkurë thuhej se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka plotësuar të gjitha kërkesat e parashtruar.
“Pas kërkesave të shtruara nga Konferenca e Parlamenteve Studentore, në takimin e së premtes (29.01.2021) me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, të gjitha kërkesat janë realizuar. Mësimi në semestrin e dytë (2020/21) do të zhvillohet fizikisht. Do të hapen bibliotekat. Lirohen nga pagesa të gjithë studentët e nivelit Bachelor (0 euro). Lirohen 50% nga pagesa të gjithë studentët e nivelit Master.
Lirohen 50% nga pagesa të gjithë studentët e nivelit të Doktoraturës. Studentët nga Lugina e Preshevës përfitojnë nga bursat e MASh. Studentët nga Lugina e Preshevës nuk paguajnë pagesën e semestrit në vitin e parë të studimeve. Projekti ‘FUNZONE’ do të bëhet në 14 fakultetet e Universitetit të Prishtinës. 50,000 euro për Bibliotekën Elektronike. 200,000 euro për mobilitetet e studentëve ndërmjet universiteteve shqiptare në rajon”, thuhej në lajmet e publikuara në disa rrjete sociale.