Dugolli tregon kush e nxori jashtë burgut Ukshin Hotin

I mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravës, Enver Dugolli, në emisionin “Këndi i Debatit”, ka rrëfyer për momentin e zhdukjes së mistershme të ish-burgosurit politik, Ukshin Hoti.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se zhdukja e intelektualit, është një brengë e madhe për të gjithë bashkëvuajtësit e tij.

“Baca Ukë, ishte njëri principiel, një njeri pedant, një njëri që fjala e tij zinte peshë, çdo bisedë e konsumime me të ka qenë një shkollë e veçantë. Prandaj, unë ruaj kujtimet më të mira për të. Ajo zhdukja e tij e mistershme është një brengë, një peng i madh jo vetëm për familjen, por për të gjithë ne bashkëvuajtësve të tij, për shkak se deri në momentin e fundit aty kemi qenë së bashku”, tha ai.

Dugolli, ka thënë se e dinë që kush e ka marrë nga burgu Ukshin Hoti, si dhe e dinë emrin e mbikëqyrësit, që e ka nxjerrë jashtë objektit.

“E dimë se kush e ka marrë, e dimë emrin e mbikëqyrësit Bronko Komatina, ai e ka marrë për herë të fundit dhe e ka nxjerrë jashtë objektit. Ne nuk e kemi pa më tutje. Unë kam qenë në dhomën e parë dhe krejt çka kam mundur me pa derisa është larguar diku 10 metra prej pavionit, për shkak se më nuk kishte hapësirë ai këndi, më nuk shihej. Ne kemi dashur të përshëndetim atë, ata nga nxitimi që e morën nuk i dhanë hapësirë. Ai (Ukshin Hoti) i ngriti dy duart dhe tha që kemi me u pa shpejtë djema, do të shihemi shpejtë. Një përshëndetje e përgjithshme ka ndodhur me të”, tregoi Dugolli.

24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ndodhi njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq, ku në periudhën 19 e deri më 24 maj 1999, vrau brenda burgut 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë. Për këtë masakër ende nuk është dënuar askush.