Vuçiq pas takimit me Lajçakun: Jam i shqetësuar për situatën në veri

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 12 maj në Beograd.

Vuçiq, pas takimin me Lajçakun, tha se ia ka përcjellë shqetësimin e tij për situatën në Kosovë, “veçanërisht në veri”.

“I thashë ndërmjetësuesit evropian se shqetësimi im buron nga nevoja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për të provokuar incidente dhe konflikte”, tha Vuçiq.

Lajçak, i cili ishte në Prishtinë më 11 maj, po qëndron në Serbi për të monitoruar zbatimin e asaj që është vendosur dhe rënë dakord në Bruksel dhe për të përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë pas takimit të 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel, ku u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur, por nuk u arrit përparim në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë./rel