Taulant Hodaj thotë se lojtarët e kombëtares u shqetësuan nga disa persona të hetuesisë në hotel

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar  se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Kjo gjë vjen për shkak se Ademi dyshohet për kryerjen e veprave penale si “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307-të.

Ademi, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërkohë, sot Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur një konferencë për media.

Taulant Hodaj, ushtrues detyre i sekretarit në FFK, ka deklaruar që veprimi i fundit nga prokuroria e dëmton direkt kombëtaren e Kosovës. Po ashtu, ai deklaroi që disa persona nga hetuesia i kanë shqetësuar lojtarët e kombëtares në hotel, transmeton atvlive.tv.

“Dje ka pasur shqetësime për lojtarët në hotel. Disa pjesëtarë nga hetuesia kanë shqetësuar lojtarët. Kjo është padrejtësi, është e papranueshme, por ne besojmë në drejtësi”, tha Hodaj.

Ndërsa, edhe drejtori i kombëtares Muharrem Sahiti deklaroi se lojtarët janë shqetësuar në hotel.

“Deri dje ka qenë çdo gjë mirë. Dje na ka shqetësuar një situate që është krijuar në hotel, ku ka pasur shumë njerëz civilë, por është përballuar edhe kjo”, tha Sahiti.

Kujtojmë që aktvendimi mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, vjen vetëm dy ditë para sfidës që Kosova do ta luajë në udhëtim te Izraeli.

Takim ky i vlefshëm për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024.