Thursday, March 28, 2024
Home SPORT FFK e Albi Mall me mega-event në prag të fillimit të stinorit...

FFK e Albi Mall me mega-event në prag të fillimit të stinorit pranveror, dhurohen fanellat e klubeve për qytetarët

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin Albi Mall, të mërkurën, ka mbledhur në një event të gjitha klubet e Superligës, ku është bërë promovimi i stinorit pranveror të garave si dhe është organizuar ceremonia e shpërndarjes së 20 fanellave të nënshkruara nga lojtarët e ekipeve elitare për fituesit e lojës shpërblyese, e cila është realizuar tash e disa javë në rrjetet sociale të FFK-së dhe Albi Mall.

Në hyrje të qendrës tregtare ‘Albi Mall’ janë vendosur fanellat dhe historiku i shkurt i secilit klub të Superligës, hapësirë që tash e tutje do të quhet “Porta e spektaklit” si dhe është bërë zbulimi i 20 figurave të futbollistëve, me të cilat të gjithë vizitorët e kësaj qendre tregtare do të mund te fotografohen në çdo kohë.

Presidenti Agim Ademi e ka vlerësuar këtë event si një uverturë të mirë për stinorin pranveror, derisa lojtarëve dhe klubeve të Superligës u ka dëshiruar suksese dhe fat në gara.

“Është kjo java ku kthehet Superliga me emocionet e saj dhe gjithçka nis nga këtu, nga sponsori ynë krenar ‘Albi Mall’, i cili do të na përcjell edhe këtë vit dhe sigurisht do të na përkrahë jo vetëm në Superligë, por në përgjithësi në zhvillimin e futbollit. Këtë vit do të nisë edhe Liga U21, e cila për futbollistët e rinj do të jetë një mundësi më shumë për t’i treguar vlerat. Dhurimi i fanellave tuaja për adhuruesit tuaj, të cilët i kanë merituar ato, është një ndjejnë e veçantë dhe ju duhet ta konsideroni veten si çdo futbollist i secilit vend tjetër, pavarësisht se niveli i klubeve dhe niveli organizativ ndryshon. Mirëpo, liga jonë ka shënuar ngritje të madhe sivjet dhe ne në çdo aspekt po mundohemi të ju trajtojmë ashtu siç e meritoni”, ka theksuar Ademi.

Ai ka vlerësuar suksesin e kampionit në fuqi, FC Ballkani, që për herë të parë në histori të klubeve tona ka arritur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por edhe paraqitjet e ekipeve tjera në Evropë.

“Ne si FFK i kemi bërë përgatitjet e duhura, por jam i lumtur që edhe klubet në përgjithësi i kanë kryer fazat e tyre përgatitore në kushte shumë të mira dhe janë gati për fillimin e garave në çdo aspekt. Nga këtu i falënderoj investitorët e klubeve, trajnerët dhe juve si futbollistë, të cilët e keni rolin kryesor në futboll dhe pres që ju të na ktheni atë që bëjmë për ju me lojëra të mira dhe atraktive”, ka shtuar kreu i FFK-së.

Ai tutje ka theksuar se pret që në të ardhmen e afërt baza e ekipit kombëtar të Kosovës ta ketë bazën me futbollistë të kampionatit vendor, derisa e ka falënderuar pronarin e Albi Mall, Nexhat Humollin për mbështetjen që i jep Superligës, teksa futbollistëve dhe klubeve u ka uruar garë fer dhe të mirë.

Ndërkaq, në emër të kompanisë “Albi Group” ka folur drejtoresha e marketingut, Fitore Osmani Muhaxhiri. Ajo ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë qenë pjesë e lojës për fitimin e fanellave të klubeve të Superligës, teksa ka thënë se si kompani do të vazhdojnë ta përkrahin sportin.

“Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë për vlerat kulturore dhe sportive të vendit tonë. Ne, si Albi Mall dëshirojmë që së bashku me FFK-në ta çojmë futbollin përpara dhe t’i respektojmë sa më shumë vlerat e sportit kosovar”, ka thënë ajo.

Më pas në skenë janë shfaqur 20 futbollistët e 10 klubeve të Superligës, të cilët kanë dhuruar fanellat për 20 fituesit e kësaj loje shpërblyese si dhe janë realizuar fotot e përbashkëta. Fanellat e FC Ballkani i fituan Endi Rrafshi dhe Labinot Limoni, fitues të fanellave të FC Drita ishin Fatih Selimi dhe Amir Kryeziu, me fanellat e KF Dukagjini u pajisen Dali Morina dhe Arianit Bobaj, fitues të fanellave të KF Drenica ishin Valon Hajdari dhe Benjamin Elezaj. Bledar Hajrizi dhe Adem Hajdari u pajisen me fanellat e FC Ferizaj, derisa Valon Selishtës dhe Nazmi Veselit iu dhuruan fanellat e SC Gjilani. E me fat në lojën shpërblyese ishin edhe Venis Lumaj dhe Shaqir Uka, që u pajisen me fanellat e KF Llapit, Sylë Berisha dhe Faik Dobruna fituan fanellat e KF Malisheva, Besart Reçica dhe Agon Ibrahimi  u pajisen me fanellat e FC Prishtina dhe Argjend Aliu dhe Drilon Gashi ishin fitues të fanellave të KF Trepça’89.