Aksion i policisë në gjithë Kosovën: Inspektohen 53 lokale të masazheve, mbyllen 44 prej tyre

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në nivel vendi të koduar me emrin “Masazh-Dhjetori 2022”, në të cilin janë inspektuar në total 53 sallone të masazheve.
Sipas njoftimit të policisë, aksioni ka ndodhur me qëllim të marrjes së masave proaktive dhe verifikimit të informatave në terren, ku është hartuar një plan operativ në funksion të Inspektimit të Salloneve të Masazheve, plan i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të Inspektorëve nga MINT, ATK-së dhe Inspektorët e Punës.

Policia ka bërë të ditur se nga 53 lokale të inspektuara në total, 44 lokale prej tyre janë mbyllur nga inspektorët, si dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara.

Gjatë inspektimit të këtyre lokaleve, policia ka legjitimuar 29 meshkuj dhe 116 femra, prej të cilëve 15 kanë qenë shtetas të Shqipërisë, nëntë të Tajlandës, një nga Rumania dhe 120 nga Kosova.

Shtetasit e huaj në mungesë të paraqitjes së lejes së qëndrimit në bashkëpunim me Drejtorinë për Migrim dhe Huaj do të trajtohen në bazë të ligjit për të huaj.