Bajrami për dënimin për vjedhjen e thesarit: Hajnat e kanë vendin në burg

Gjatë ditës së sotme, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
Në lidhje me këtë ka reaguar Hykmete Bajrami, ish ministrja e Financave, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka thënë se, vendimi i sotëm i Gjykatës tregon se kur ka bashkëpunim në mes të institucioneve, rastet e vjedhjeve nuk ngelën pa u ndëshkuar.

Tutje, ajo ka thënë se secili zyrtar që abuzon duhet të zbulohet, të denoncohet dhe siç ka thënë ajo, hajnat duhet të marrin dënime kapitale.

Postimi i plotë:

E denoncova vjedhjen e 2.1 milionshit dhe sot ka vendim të Gjykatës. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund.

Vendimi i sotshëm i Gjykatës tregon se kur ka bashkpunim në mes të institucioneve, rastet e vjedhjeve nuk ngelën pa u ndëshkuar.

Unë besoj shumë se organet e drejtësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse do të bashkrendojnë aktivitetet, që mjetet e vjedhura të kethen sa më parë në buxhetin e shtetit.

Hajant e kanë vendin në burg. Secili zyrtar që abuzon duhet të zbulohet, të denocohet dhe hajant duhet të marrin dënime kapitale.