Mesazhi i presidentit Ademi për 28 Nëntorin

Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore,

Familje të heronjve e të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare;

Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkëkombës kudo që jetoni!

Sot e festojmë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar, një festë që i bashkon shqiptarët kudo që ata jetojnë e veprojnë.

Në këtë datë festojmë edhe Ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së!

Kjo datë shfaq trimërinë, heroizmin, bujarinë, krenarinë dhe sakrificën e popullit shqiptar ndër shekuj dhe shërben si frymëzim për atdhedashuri.

Në këtë datë të veçantë kujtojmë dhe nderojmë me pietet të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe atdhetarët që nga periudha e rilindasve tonë e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së, të cilët punuan dhe luftuan deri në flijim për ruajtjen e identitetit shqiptar.

28 Nëntori ka qenë dhe mbetet festa më e dashur e shqiptarëve dhe vlerë e patjetërsueshme e kombit tonë.

Prandaj,  më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së të ju uroj përzemërsisht të gjithëve 28 Nëntorin, me urimin për shëndet dhe realizim të aspiratave tona si popull drejt integrimit të shteteve tona në BE dhe në të gjitha mekanizmat veriatlantike.

Po ashtu, shpresoj se sportistët dhe në veçanti ekipet tona në futboll do të vazhdojnë ta përfaqësojnë kombin tonë në mënyrë të ndritshme në arenën ndërkombëtare dhe do t’ia arrijnë qëllimit që të jenë pjesë e Kampionatit Evropian 2024.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve dhe veprimtarëve për lirinë e popullit shqiptar!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së