Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Sokol Hadrit

E nderuara Familje Hadri!

Me pikëllim të thellë e zemërthyer e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Sokol Hadri, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.

Sokolin e thërrisnim Legjendë, sepse ishte dhe do të mbetet përherë i tillë.

Kontributi i tij për futbollin ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai ishte pjesë e gjeneratës së futbollistëve të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme dhe e ndihmuan futbollin e Kosovës të marrë hov të madh të zhvillimit në vitet 70-ta e 80-ta.

Si një mbrojtës korpulent, Sokoli u shqua për vendosmëri, por edhe për korrektësi maksimale në fushën e gjelbër.

Karrierën e filloi në skuadrën e Lirisë, aty, ku e dha edhe kontributin e tij më të madh dhe e përmbylli karrierën në vitin 1985, teksa me plotë sukses luajti edhe për ish-Buduçnostin e Pejës (Besën e tanishme) dhe për Prishtinën.

Me paraqitjet e tij la gjurmë në futbollin e Kosovës, duke u shndërruar në model për shumë breza të rinj prizrenas dhe jo vetëm.

Sokoli edhe pas përfundimit të karrierës nuk iu nda asnjëherë futbollit, teksa për një periudhë ishte edhe kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prizrenit, ku me përvojën dhe dashurinë e tij për futbollin nxiti zhvillimin e talenteve të kësaj treve.

Sokol Hadri u dallua për virtyte të larta intelektuale, humane e sportive. Ai, ishte ndër punëtorët më të dalluar sportivë që kishte Kosova. Familja humbi kryefamiljarin dhe njeriun më të dashur, derisa komuniteti i futbollit mbeti pa njërin ndër personalitetet më të shquara, të cilin përherë do ta kujtojë me pietet dhe do ta vlerësojë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Lamtumirë Legjendë!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së