Takimi i djeshëm Kurti – Jasharaj kaloi pa marrëveshje, Këshilli i Prindërve: Do të mbajmë mësim online më fëmijët

Në javën e tretë tashmë greva në arsim dhe administratë po vazhdon, e ku grevistët dhe Qeveria pavarësisht një takimi nuk kanë arritur marrëveshje/

Një takim i fundit që ndodhi ditën e djeshme ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përfundoi me deklarata publike ku të dyja palët akuzuan njëra tjetrën për “betonim” të qëndrimeve.

Në krejt këtë situatë Këshilli i Prindërve të Kosovës ka një apel për Qeverinë dhe grevistët.

Ata janë të prerë në kërkesat e tyre e që është fillimi i mësimit në shkollat e vendit dhe një dakordim i qeverisë dhe grevistëve përmes dialogut.

Jeton Demi, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë për Gazeta Blic, se çdo ditë e humbur mësimi është e pakthyeshme dhe dëmi është i pariparueshëm.

“Andaj dyja palët duhet të vlerësojnë qëndrimet e veta duke pasur parasysh që po e dëmtojnë padrejtësisht pjesën më të rëndësishme të shtetit, që janë fëmijët”, vlerëson Demi.

Sipas Këshillit të Prindërve asnjë arsye madhore nuk ekziston për grevë të plotë dhe fillimi i mësimit duhet të shoqërohej me vazhdimin e dialogut social.

“Për shkak të situatës së tensionuar nëpër shkolla, ne si Këshill i Prindërve i Kosovës po e shohim si zgjidhjen më të arsyeshme dhe të padëmshme për fëmijët tanë, por edhe prindërit e mësimdhënësit, që të furnizohemi me libra nga shkollat në gjithë Kosovën dhe të fillojmë të punojmë vetë me fëmijët, duke përfdorur edhe videot e ndryshme për mësim në distancë’, vlerësojnë prindërit.

 

Në disa shkolla mësimdhënësit i janë kthyer mësimit me fëmijët e ku ky akt po vlerësohet lartë nga Këshilli i Prindërve.

“Njëkohësisht e vlerësojmë si akt shumë njerëzor e të duhur hapjen e disa shkollave në vend dhe kërkojmë që mësimdhënësit të reflektojnë duke e filluar mësimin, për të dalë nga kjo gjendje që absolutisht nuk e meritojnë as fëmija e as prindërit dhe që në fund të saj nuk do të ketë asnjë fitues.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës në një paraqitje para medieve ka akuzuar rëndë grevistët në arsim duke thënë se greva gjithçka mund të jetë përpos “grevë në Arsim” , përderisa Rrahman Jasharaj nuk ka lëvizur nga qëndrimet e grevistëve se duhet paguar mësimdhënësit nga 100 euro deri në jetësimin e ligjit të pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës.