Vrasja në Gjilan, Prokuroria ndalon katër persona të dyshimtë

Një vrasje e rëndë ndodhi mbrëmë në qytetin e Gjilanit.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar katër persona në kohë zgjatje prej 48 orësh nën dyshimin për përfshirje në incidentin e mbrëmshëm.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër (4) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm (08 Nëntor 2021) me armë zjarri në Gjilan, në të cilin tani i ndjeri E.R., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, nga kjo ngjarje është plagosur edhe i dyshuari V.H., i cili është duke u trajtuar në QKUK, nën mbikëqyrjen dhe sigurimin e njësiteve policore.
Në këtë rast dyshohet se ka qenë i involvuar edhe një person tjetër, i cili për momentin gjendet në arrati, transmeton lajmi.net.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit E.R. është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, ndërsa, ndaj të dyshuarve të lartshënuar brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata Themelore në Gjilan.