Agim Ademi flet për trajnerin e ri, shkarkimin e Challandes, sulmin fizik dhe prurjet e reja

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në krye me presidentin Agim Ademi, para disa javëve i dhanë fund bashkëpunimit me përzgjedhësin Bernard Challandes.

Rezultate jopozitive në vitet e fundit ndikuan që tekniku zviceran të shkarkohet nga pozita e përzgjedhësit të Kosovës.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në një intervistë ekskluzive për lajmi.net, foli për shumë çështje si trajneri i ri, momenti i shkarkimit të Challandes, incidenti i para disa ditëve ku u sulmua fizikisht dhe prurjet e reja.

Fillimisht, Ademi zbuloi se trajneri i ri nuk do zbulohet deri pas Vitit të Ri, ose në mars, atëherë kur do nis Liga e Kombeve. Përpos kësaj, tregoi se shumë emra të mëdhenj kanë shfaqur interesim për drejtimin e “Dardanëve”.

“Jo, në fakt nuk e zgjedhim më herët trajnerin e Kombëtares sonë, për faktin se ndeshjen e nëntorit dhe një miqësore do t’i udhëheqin stafi që ka qenë me Bernard Challandes. Kemi shumë oferta, ka shumë të interesuar dhe jam shumë i kënaqur sepse emra të tillë që duan të vijnë te vlerësojnë Kosovën, ekipin tonë Kombëtarë. Me trajnerin e ri do të hyjmë në Ligën e Kombeve, që është nga marsi e deri më tej, në qershor. Pra, trajner të ri nuk do këtë të ri nuk do këtë deri pas vitit të ri ose deri në mars”.

Shumë analistë që një kohë të gjatë e donin shkarkimin e Challandes, por FFK-ja i besoi deri vonë. Ademi tutje shpjegoi se ishte ndeshja ndaj Gjeorgjisë që i dëshpëroi aq shumë sa iu ‘shpejtua’ shkarkimi.

“Normalisht, në Federata ka strategji dhe duhet me realizu atë, ndonjëherë edhe nëse s’të pëlqen duhet me ecë. Nuk është që kemi pas ndonjë obligim, përveç obligimit ndaj tij, për faktin që e ka pas një rezultat të pamohueshëm, gjë që e falënderojë për punën që e ka bërë, mirëpo pastaj u nevojit një ndërrim. Në fakt, Bernard Challandes edhe vetë e ka pranuar se me Kosovën nuk do punojë më si trajner aktiv, është menduar që të përfundojë edhe ndeshja ndaj Greqisë, por ndeshja me Gjeorgjinë ishte dëshpëruese edhe për ne, prandaj u deshtë të marrim këtë vendim, që mendoj se është i drejtë për vetë faktin që kërkojmë më shumë, duam rezultate”

I pari i FFK-së, gjithashtu i bëri me dije edhe trajnerëve të rinj që vijnë, që do t’iu duhen rezultate për të mbajtur pozitën e tyre.

“Kam thënë dhe tash e tutje, trajnerët që vijnë jo vetëm në A, por edhe në grupmoshat e tjera i mban rezultati, nuk i mban më as emri, as kurgjo tjetër përpos rezultatit”.

I pyetur se nëse ishte ndeshja ndaj Gjeorgjisë vendimtare për shkarkimin e Challandes, Ademi deklaroi se kishin vendosur që në Ligën e Kombeve do hynin me trajner të ri, pra tekniku zviceran do shkarkohej edhe pas ndeshjeve të nëntorit.

“Ndoshta për ndeshjet e nëntorit, por ka qenë një lloj strategjie që në Ligën e Kombeve të futemi me një trajner të ri, kështu që do që të ishte epilogu, ajo do ndodhte në fund dhe gjithmonë dikush në fund duhet të paguajë faturën, në këtë rast ishte trajneri, nuk mund ta fajësojë për shumë gjëra të tjera, si humbje që ndodhen për faktin se pandemia e ka ç’orenitu gjithçka, mos ardhja e një pjesë të lojtarëve, mos komponimi standard, lëndimet dhe në fund edhe pak fati nuk e ka përcjellë sepse ju e dini ka qenë shumë i suksesshëm në pjesën e parë, jashtëzakonisht e ka ngrit nivelin”.

“Ai e përdori tha ‘Unë kam ndërtuar themelin’, por unë mund të them se Challandes ka bërë më shumë se themelin, në rast që jo tërë shtëpinë”.

Emra të shumtë, si Felix Magath, Roberto Carlos dhe Roberto Donadoni janë përmendur se mund të zëvendësojnë Challandes, por presidenti thotë se ende asgjë nuk është vendosur, pasi fillimisht do shohin çdo CV se bashku me Komitetin Ekzekutiv para se të vendosin.

“E thashë kur do zgjidhet trajneri, po mbledhim CV-të dhe ofertat të cilat na vijnë dhe sigurisht do mblidhemi me komitetin ekzekutiv dhe pastaj do marrim listën e ngushtë. Ne duhet të përcaktohemi për një trajner që na përshtatet, duhet përshtatshmeria, njohja e mentalitetit, por edhe ekonomia. Jo doemos ka me qenë një emër, veçse është emër, por edhe që i plotëson kriteret. Ne do ulemi me Komitetin Ekzekutiv për të shikuar çdo emër, përndryshe që nga ky moment i falënderojë të gjithë ata që kanë konkurru për të qenë trajner i Kosovës”.

Ademi konfirmoi se përzgjedhësi i radhës me çdo kusht duhet ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin e radhës Evropian.

“Po sigurisht, nuk kemi çështje organizative, kemi arrit krijimin administrativ dhe ajo pjesa organizative, të gjithë përpos trajnerit që do bëjë punën e vetë. Na i kemi plotësuar dhe vazhdojmë t’i plotësojmë të gjitha kushtet për të bërë punën e vetë që i duhet një trajneri për rezultat me këtë kapacitet që e kemi, me këta lojtarë që i kemi dhe unë kërkoj rezultate. I plotësojë kushtet, por kërkoj rezultate. Objektivi ynë është kualifikimi”.

Tutje, Ademi foli edhe për sulmin fizik që i ndodhi para dy ditëve, ku u sulmua në parkun e Gërmisë, nga disa persona të maskuar. Ai theksoi se çështja është në polici dhe ata janë duke hetuar.

“Është çështja në polici, është çështje e hetimeve të tyre. E kam thënë në deklaratë atë që ka ndodhur dhe me kaq mbetet aty”.

Mediat lokale raportuan se Ademi u sulmua nga disa zyrtarë të FFK-së, mirëpo kryetari theksoi se nuk ka dijeni kush ka qenë dhe ata që e dinë duhet të flasin në polici.

“Jo, s’di. Unë nuk e di aty. Ata që e dinë duhet të merren me policinë, duhet të tregojnë se kush ka qenë. Për policinë janë të njoftuar, por edhe nëse janë për opinionin është okej”.

Në fund, Ademi foli edhe për prurjet e reja, ku konfirmoi se do këtë futbollistë të rinj përpos A-së edhe në kategoritë e tjera.

“Prurje të reja gjithmonë ka në të gjitha kategoritë. Mund të këtë prurje të reja që nga kategoritë U21, apo edhe futbollistë të tjerë që jemi duke biseduar dhe jemi në kontakt në vazhdimësi, këta emra që janë përmend deri më tash, tani të shohim mbetet përcaktimi i tyre”.

Pos kësaj, ai konfirmoi se i kanë ftuar shumicën e lojtarëve që të përfaqësojnë Kosovën dhe që fjala vendimtare iu takon atyre.

“Ne i kemi ftuar thuajse të gjithë, Kosova është e të gjithëve dhe kemi hapur dyert sidomos për ata që janë të nivelit reprezentativ dhe sigurisht që vazhdimisht do jemi në kontakt. Dëshira dhe nevoja jonë është që ata të jenë pjesë e Kosovës, por duhet të jetë edhe vullneti i tyre për t’u bërë pjesë e kësaj ekspeditë ose ekipe. Kështu presim fjalën e tyre të fundit”, nënvizoi Ademi për lajmi.net.

Ndërkohë, Kosova në nëntor dy ndeshje, një ndaj Greqisë, e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës dhe miqësore ndaj Jordanisë që ende nuk është bërë zyrtare nga FFK.