Agim Ademi i prekur nga rasti Eriksen

I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes një statusi në llogaritë e tij sociale Facebook e Instagram ka ndare përjetimet e tij me rastin e Christian Eriksen, ku dje në fillim të ndeshjes Danimarkë-Finlandë pësoi një fatkeqësi e cila për fat të mirë nuk përfundoi me fatalitet. Ndjenjat e tij Ademi i ka shprehur në statusin në vazhdim, përcjell kolonamedia.info.

Statusi i plotë:

Bota e futbollit dhe jo vetëm, u shokua mbrëmë nga pamjet në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, kur Christian Eriksen u rrëzua pa ndjenja në fushë.

Ai moment kritik për jetën e tij bëri që ankthi të na pushtojë të gjithëve, por njëherësh edhe na bashkojë në lutjet tona drejtuar Perëndisë për ta tejkaluar atë gjendje. Fatmirësisht reagimi i stafit mjekësor, forca e tij për të luftuar për jetën dhe lutjet nga të katër anët e globit bën që Eriksen ta fitojë këtë betejë.

Tashmë kur vijnë lajme të mira nga stafi mjekësor që është nën përkujdesjen e Eriksenit, ne të gjithë ndihemi më të qetë dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me lojtarin, me shpresë dhe besim se së shpejti do t’i kthehet familjes së tij dhe futbollit edhe më i fortë.

Në emër të KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë uroj që Eriksen sa më parë t’i kthehet normalitetit dhe pasionit të tij – futbollit, për ta ndihmuar kombëtaren e Danimarkës dhe klubin e tij në arritjen e objektivave.

Lutjet dhe mendimet tona janë me ty Eriksen!

Të presim edhe më të fortë!

A.A.