​Kurti në Pejë: Kjo fushatë paralajmëron pranverën e vitit 2021

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur sot fushatën zgjedhore në qytetin e Pejës, ku lideri i këtij subjekti Albin Kurti paralajmëroi fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit, teksa përsëriti se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare garojnë me 110 kandidatë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të shoqëruar edhe nga kandidatë tjerë për deputetë u pritën nga një numër i madh i qytetarëve të cilët kishin dalë në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në mbështetje të tyre.

Moti i mirë që mbretëroi sot me rastin e hapjes së fushatës, për Kurtin shërbeu si figurë krahasimi me pranverën e vitit 2021 që sipas tij po e paralajmëron fushata.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve që do të votojnë.

Ani pse këtë paradite dega e Vetëvendosjes në Prishtinë e hapi zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit, Kurti bëri të ditur se në orën 19:30 do të mbajnë një tubim të hapjes në kryeqytet.

“Jemi këtu në Pejë, në këtë qytet të bukur që i ka dhënë aq shumë edhe luftës çlirimtare edhe paqes në Kosovë, edhe arit, edhe shkencës, edhe historisë dhe kulturës… Tash këtu në shesh takuam qytetarët pejanë, të cilët masivisht janë të vendosur për ndryshime dhe do të ketë pjesëmarrje rekord të popullsisë në përgjithësi, përfshirë Pejën, në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pra, po na merr moti shumë i mirë dhe duket që kjo fushatë e paralajmëron pranverën e vitit 2021”, tha Kurti.

Përkundër largimit të tij dhe dy kandidatëve tjerë të VV-së nga lista e fletëvotimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kurti ka përsëritur se lista e tyre ka 110 kandidatë.

“Ne e kemi listën tonë me 110 kandidatë, ka pengesa e vështirësi të ndryshme por, asnjë të atillë që nuk do ta tejkalojmë”, tha ai.

Numri dy i listës së Vetëvendosjes dhe Iniciativës Guxo në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani e cila pretendon postin e presidentit, tha se qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake që kanë pasur në të kaluarën, tani janë për ndryshimin e madh që, sipas saj, do të sjellë Lëvizja Vetëvendosje më 14 shkurt.

“Shpresoj shumë që kjo frymë e ndryshimit që po ndihet kaq shumë e kaq qartë këtu në Pejë sot, të vazhdojë anekënd Kosovës dhe jam e bindur që do të vazhdojë, sepse Peja ka ditur përgjatë historisë t’i prijë ndryshimit dhe jam e bindur që edhe sot të gjithë këta qytetarë sot në shesh, por edhe ata që janë në shtëpi, do ta bëjnë këtë kthesë të madhe historike më 14 shkurt. Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur në këtë hapje që përfundimin do ta ketë me një fitore plebishitare në 10 ditshin e ardhshëm”, u shpreh ajo.

Me rastin e hapjes së fushatës në Pejë, Kurti dhe Osmani takuan nga afër qytetarët që kishin dalë në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në mbështetje të tyre. Ata ishin të shoqëruar edhe nga disa kandidatë për deputetë si Rozeta Hajdari, Albana Morina – Xharra, Besnik Zeqiri, Fatmirë Kollçaku, Gramoz Agusholli.

Shëtitja e tyre në sheshin e Pejës u përcoll nga thirrjet “Vetëvendosje” dhe “127”, i cili është numri rendor i kësaj partie në listën zgjedhore.