Hoti para Varhelyit: I kemi plotësuar kushtet për heqjen e vizave, BE të lëviz përpara

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi.

Hoti para Varhelyit tha se ky i fundit ka sjellur një lajm të mirë për Kosovën, shkruan lajmi.net.

“Komisioneri sjelli një lajm fantastik për Kosovën dhe Ballkanin Përendimor, të lajmit për investime në Ballkanin Përendimor në vlerë totale prej 28 miliardë euro nga BE, prej të cilave 9 miliardë janë grante për Ballkanin Përendimor.  Projekti që kemi propozuar si qeveri është përfshirë plotësisht, përfshirë Autostradën Prishtinë-Merdarë, hekurudhën Prishtinë – Merdarë, ky është një lajm i mirë dhe besoj që brenda 3-4 viteve do t’i ndërrojmë komplet rrethanat ekonomike në Kosovë”, tha Hoti.

Kryeministri tutje tha se ka siguruar komisionerin që Kosova është e vendosur të çojë përpara agjendën evropiane.

Ai tha se Varhelyiu ka mirëkuptim edhe për liberalizimin e vizave.

“ E sigurova komisionerin se jemi të vendosur që të çojmë përpara agjendën evropiane. Për katër muaj të qeverisjes sonë fjalën “korrupsion” e kemi larguar nga diskursi publik. Aksionet që kanë filluar para dy javësh po vazhdojnë, dhe do të shihni edhe të tjera. Në dialog po kalojmë sfida. Liberalizimi i vizave mbetet çështje e rëndësishme. Në kemi plotësuar kushtet qysh në vitin 2018 dhe shpresoj që BE të lëviz përpara. Komisioneri e mirëkupton këtë çështje kaq të ndjeshme”, tha Hoti.