Osmani: Bashkimi i Gjermanisë, model për promovimin e vlerave demokratike

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin gjerman Joern Rohde, me rastin e 30 vjetorit të bashkimit Gjermanisë.

Ajo ka uruar ambasadorin dhe popullin gjerman për 3 tetorin, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.

Osmani ka thënë se 30 vjetori i bashkimit të të dy Gjermanive përbën frymëzim dhe model për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave demokratike.

“Teksa sot gjermanët kremtojnë, ndonëse me sheshe më pak të mbushura, shkaku i pandemisë, ne bashkohemi me ta për të festuar këtë 30 vjetor dhe për të rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimësinë e miqësisë dhe lidhjes së fortë mes popullit të Kosovës dhe popullit të Gjermanisë”, ka thënë  Osmani.

Sipas saj, tre dekada më parë, Gjermania ishte prijetare në zhvillimin politik e ekonomik sepse gjermanët treguan guximin dhe vendosmërinë për të përqafuar vlerat më sublime të demokracisë.

Një telegram me rastin e Ditës së Bashkimit të të dy Gjermanive, kryeparlamentarja Osmani ia ka drejtuar edhe Kryetarit të Bundestagut, Wolfgang Schäuble.