Gërxhaliu për takimin e Grenellit: Edhe skeptikët do të binden që Kosova do të mbetet shtet i pavarur

Emisari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell bashkë me 13 zyrtarë të tjerë amerikanë do të qëndrojnë sot në Kosovë, ku do të priten në takim nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Vizita e zyrtarëve amerikanë vjen pas marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu derisa sa e quan të rëndësishme takimin e zyrtarëve amerikanë, ai thekson edhe se skeptikët më të mëdhenj sot do të binden që Kosova do të mbetet shtet i pavarur falë miqve ndërkombëtar.

Gërxhaliu tha për KosovaPress se mungesa e unitetit politik në Kosovë po e dëmton Kosovën në këtë kohë pandemie. Mirëpo ai thekson se takimit të 4 shtatorit të Uashingtonit po i jepet vula e suksesit sot në Kosovë.

“Është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe për momentumin aktual. Agjenda politike është dominante, është një mungesë e unitetit politik në Kosovë i cili po e dëmton Kosovën në këtë kohë pandemie. Dhe kjo që po ndodhë sot është një vulë e suksesit të takimit të 4 shtatorit në Uashington kur edhe janë nënshkruar marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës në prani të presidentit Trump. Është e vërtet që sot është një ditë që duhet të analizohet në disa dimensione, nga këndvështrimi politik, ekonomik, social, integrues, por mbi të gjitha nga këndvështrimi psikologjik apo ndryshim të precesionit”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka treguar për rëndësinë e projekteve dhe vizitës së Grenellit dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë.

“Në aspektin politik është e rëndësishme dhe e pakontestueshme sepse po forcohet partneriteti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e bën të dallueshme këtë vizitë në krahasim me politikën evropiane, një konkretizim dhe pragmatizëm i asaj që është nënshkruar në Uashington të imlementohet sa më shpejt që është e mundur dhe në një farë forme të shuhen zërat skeptikë që e kritikuan një marrëveshje të tillë. Në aspektin e ekonomik po e shihni që ka të bëjë me projekte të cilat besoj do të jenë të rëndësisë multidimensionale. Një rëndësi e veçantë është ajo e dimensionit integrues, po shihet se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovë, nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha edhe se po hapet një perspektivë e re dhe e shpresës për Kosovën e që duhet të trokitet e jo të kritikohet. Ai thekson se edhe skeptikët më të mëdhenj do të binden sot që Kosova do të mbetet shtet dhe do të jetë republikë e pavarur falë miqve ndërkombëtar.

“Besoj që do të jetë një momentum i ri që pas pranimit të Izraelit që e njohi Republikën e Kosovës, besoj që është koha kur duhet të tregohet një unitet politik, të apelohet në delegacionin e SHBA-ve pasi që ata e kanë një vizitë në Greqi, që edhe Greqia falë autoritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndjek rrugën e Izraelit dhe Kosovën në këto momente të vështira ta pranojë edhe Greqia. Besoj që po hapet një perspektivë e re, një perspektivë e shpresës dhe është një momente që duhet të duar trokitet, dhe jo gjithmonë vetëm të kritikohet. Dua të besoj që skeptikët më të mëdhenj sot do të binden që Kosova do të mbetet shtet dhe do të jetë Republikë e pavarur falë miqve ndërkombëtar në të ardhmen”, thotë Gërxhaliu.